Kurti e konsideron joadekuate dhe të rrezikshme shprehjen "korrigjim i kufijve"
Në vazhdim të tryezës për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të cilën e organizoi Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës në fund të muajit korrik, kryetari Albin Kurti, i shoqëruar nga Hydajet Hyseni, Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm, dhe, deputetja Fitore Pacolli, priti në takim Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, dhe, shefin e kabinetit të tij, Rahim Salihu.Kurti e informoi Kamberin rreth diskutimeve që kishte Kryesia e kësaj partie në mbledhjen e saj të djeshme rreth zhvillimeve të fundit që prekin komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Sipas kumtesës për media, Kurti e konsideroi joadekuate dhe të rrezikshme shprehjen “korrigjim i kufijve” të Presidentit Thaçi, transmeton Koha.net.
Kjo sipas tij, meqenëse korrigjim i kufijve do të thotë korrigjim aty-këtu i ndonjë hapësire të vogël me ndonjë fshat, zabel a kodrinë, por jo përfshirje e një krahine të tërë siç është zona e komunave të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, e që duhet të trajtohen si tërësi dhe jo të ndara nga njëra-tjetra.
Kurti tha se respektimi i referendumit të vitit 1992 është zgjidhja e vetme e drejtë duke shtuar se Serbia duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të paguajë për dëmet e shumta të luftës dhe okupimit.